Banja e Bujanocit është një vend popullor për shërim afër Bujanocit, ndodhet rreth 3 km nga qyteti i Bujanocit në drejtim të verilindjes.
Banja e Bujanocit shtrihet në luginën e Moravës Jugore në skajin jugor të Serbisë, pranë rrugës dhe hekurudhës në korridorin ndërkombëtar 10, i cili lidh linjat Beograd – Shkup – Selanik – Stamboll.
Banja e Bujanocit ka pozitë gjeografike shumë të mirë. Lartësia e saj mbidetare 400 metra është nën ndikimin e klimës së butë mesdhetare.
Banja është bartëse e turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në komunën e Bujanocit. Uji dhe balta e banjës kanë efekte shëruese në shumë sëmundje të ndryshme, prandaj shumë njerëz nga vende të ndryshme rajonale e preferojnë këtë banjë për shërim por edhe për turizëm.
Ekspertët e njohur, në bazë të analizave kimike dhe të rezultateve të krahasimit me ujërat e ngjashëm në vend dhe në botë, ujin e Banjës së Bujanocit, e vlerësojnë ndër ujërat më të çmueshëm në Evropë. Uji i ngrohtë i këtij burimi shëron sëmundje të ndryshme, për më me sukses i shëron të gjitha sëmundjet reumatike.
Pozita gjeografike, bukuritë natyrore dhe burimet termale, premtojnë që Bujanocit të bëhet një ndër qendrat më të bukura, me ekonomi dhe turizëm të zhvilluar.
Kapaciteti akomodues në banjën e Bujanocit i takon grupit të objekteve të kategorisë B dhe disponon rreth 250 shtretër në dhomat një, dy dhe tre shtretër. Kapaciteti i restorantit përbëhet prej dy ambienteve solemne dhe salla “retan” me gjithsej 270 vende.
Vizitorët kanë në dispozicion salla për TV, biliar, sauna dhe minifusha e tenisit për sporte në dimensione të vogla.
Uji, balta dhe gazi i Banjës së Bujanocit, arrijnë rezultate të jashtëzakonshme në trajtimin e sëmundjeve reumatizmale, degjenerative, ekstraartikulare, inflamatore në fazat e remisionit:
– Sëmundjet e lëkurës, ekzema, psorioza
– Sëmundjet gjinekologjike, proceset inflamatore kronike dhe disa forma të sterilitetit
– Gjendjet e konvaleshencës së enëve të gjakut, dhimbjeve të kokës etj.