Lokaliteti arkeologjik Kalaja e Kërshevicës gjendet rreth 13 km larg qytetit të Bujanocit dhe është ndër lokalitetet më të vjetra që ndërthurë vlera të larta historike dhe kulturore.

Ky lokalitet arkeologjik është i vendosur në shpatet e malit Rujan, buzë fshatit Kërshevicë, afër luginës së Moravës jugore dhe në literaturën arkeologjike përmendet nga viti 1966 si Kale. Nga gjurmimet e para që u bënë në lokalitetin e Kalasë së Kërshevicës në vitin 1966 nga ana e Kustosit të Muzeut Popullor të Vranjës, Milan Jovanoviq megjithëse hulumtimet ishin të përmasave të vogla u pa se gjetjet e zbuluara tërheqnin vëmendjen e arkeologëve.

Në Kala janë zbuluar mjete të rëndësishme, kur gjatë punimeve të vogla mbrojtëse u zbuluan mure e materiale si qeramika dhe gjetje të tjera që i përkisnin një vendbanimi urban nga shekulli i IV p.e.s. Lokaliteti veçohet si vendbanim më bashkëkohorë e ndërtuar sipas modeleve greke dhe ka mbajtur lidhje të afërta me Maqedoninë dhe Greqinë antike gjatë gjithë ekzistencës së tij, i cili lulëzoi në kohën e Filipit të Maqedonisë dhe Aleksandrit të Madh. Aty u zbuluan disa enë, të cilat ilustrojnë mirë përbërjen etnike të grupeve që pas rënies së Maqedonisë dhe formimit të provincës romake, depërtuan në jug dhe plaçkitën këto toka të pasura. Ngjarjet përmenden në burimet antike, dhe gjetjet nga Kërshevica konfirmojnë pjesërisht se përveç Skordiskut, në fushata të shpeshta kanë marrë pjesë edhe thrakët, dakët, tribalët dhe dardanët.

Horizonti më i ri i përket gjetjeve të shekullit II/I p.e.s. në kohën kur Keltët, Skordiskët dhe popuj tjerë ballkanikë përdorën akropolin e braktisur si një fortesë të rëndësishme në sulmet e tyre në Maqedoni dhe Greqi.

Rezultatet e deritanishme tregojnë se lokaliteti zë një sipërfaqe prej rreth pesë hektarësh dhe se shtrihet në vendin dominues pranë komunikimit të rëndësishëm që lidhte Europën qendrore dhe Greqinë përmes luginës së Moravës e Vardarit.

Hulumtimet e bëra në vitin 2001 theksojnë se vendbanimi i përketë periudhës së bronzit të vonshëm, rreth sehkujve 13-14 p.e.s. Disa shkencëtarë mendojnë se bëhet fjalë për qytetin antik Damastion i cili përmendet në “Gjeografinë” e Strabonit.

Damastion apo Damstium është vendbanim i regjionit Iliro-Panon. “Qyteti Danastion ka qenë i banuar me fisin ilir-dardan Damastini, të cilin në shekullin IV p.e.s. e drejtonte mbreti Bardyllis – (Grad Demastion bio je naselje ilirskim-dardanskim plemenom Damastini kojim je u IV veku p.n.e upravljao kralj Bardylis”) Në vazhdim Fanula Papazoglu sqaron, se ka dokumente të shkruara me çka bazon tezën e vet.

Qyteti Damastion në lashtësi ka qenë i njohur me Madenet e argjendit.

Kalaja e Kërshevicës shumë herët ka qenë e pasur me gjetje të ndryshme. Gurë bukur të gëdhendur nga Kalaja shohim të ndërtuar në shtëpitë e fshatarëve të Kërshevicës. Janë gjetur amfora, enë të vorbtarisë, të lyera me ngjyrë të zezë e të dekoruar me figura dhe ornamente.

Pjesë përbërëse e këtyre enëve ishin edhe enët për pierje dhe ruajtje të verës. Janë gjetur kulluese qeramike, stoli, monedha të argjendit. Kalaja e Kërshevicës gjendej ndërmjet dy qyteteve të rëndësishëm të Dardanisë Naissusit dhe Skupit. Në këtë rrugë ishin të ndërtuara një varg kështjellash. Kalaja ishte në pozitë të volitshme gjeografike vetëm 5 km larg lumit Morava, në lartësinë mbidetare mbi 480m. Ky vendbanim urban përfshinë 5 hektarë sipërfaqe në vend dominant nga shihej fusha e Bujanocit dhe e Vranjës. Njëkohësisht është damar (arterie) kryesore që Luginën e Moravës dhe të Vardarit e lidhin me Evropën e mesme me Greqinë.

Ivan Vraniq nga Instituti Arkeologjik i Beogradit thotë: “Dosadasnji rezultati pokazali su da se radi o Utvrdjenju iz IV i prve polovine III veka p.n.e.” (Rezultatet e gjeritanishme kanë treguar se bëhet fjalë për vendbanim të fortifikuar të shekullit IV dhe gjysmës së parë të shekullit III p.e.s.).

Ndërsa Hevzi Islami dhe Arsim Ejupi, studiues, shënojnë: “Edhe pse shumë gjetje arkeologjike kanë karakteristika helene dhe lidhen me territorin trak, ka të tilla të cilët kanë analogji të madhe me ato të gjetura në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto gjetje janë argument shtesë që sforcojnë hipotezën se edhe qyteza e Kërshevicës ka mundur të jetë brenda kornizave të shtrirjes së grupit kulturor dardanë.”

Gjatë gërmimeve të deritanishme në Kërshevicë është shqyrtuar sipërfaqja prej vetëm rreth 6%, kështu që është e vështirë të imagjinohet pamja e vërtetë e këtij vendbanimi relativisht të madh, të mirëorganizuar dhe dukshëm kompleks. Ky vend i rëndësishëm dhe shumë premtues ka një dimension të veçantë sepse zgjidhja e vendndodhjes së Damastionit sigurisht që do të përfaqësonte një kontribut të madh në fushën e arkeologjisë greke dhe historisë antike.

sqSQ